Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar një opinion zyrtar mbi kriteret e vendosura në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit që marrin pagë nga buxheti i shtetit. Analiza vlerëson efektet e vendimit 02/07 në raport me parimet e barazisë, proporcionalitetit, pritshmërisë legjitime dhe sigurisë juridike.
Sipas vlerësimit, neni 32, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 10/L-001 mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 krijon një të drejtë subjektive me karakter pasuror, e cila ndërlidhet me nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj). Avokati i Popullit thekson se aktet administrative dhe kriteret e nxjerra për zbatimin e një norme ligjore nuk mund të zvogëlojnë të drejtat e përcaktuara shprehimisht nga ligji, e as të vendosin kushte që tejkalojnë përcaktimet ligjore duke cenuar të drejtat e punonjësve.
Në këtë opinion, theksohet se rregullimi i pagës së 13-të duhet të ofrojë kritere të qarta dhe të arsyeshme që sigurojnë barazi mes të gjithë përfituesve, pa ndryshuar thelbin e qëllimit për të cilin është paraparë ky përfitim. Ky dokument shërben si këshillë për Qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës që, në miratimin e akteve të ardhshme lidhur me këtë pagesë, të kenë parasysh trajtimin e barabartë të të gjithë punonjësve që i plotësojnë kushtet ligjore.