Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar një opinion zyrtar në lidhje me Udhëzimin Administrativ Nr. 03/2025 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore, duke vlerësuar se skema aktuale rrezikon të krijojë barriera financiare për qytetarët. Sipas institucionit, megjithëse KGJK ka kompetencë ligjore për vendosjen e taksave, kjo duhet të ushtrohet në përputhje me garancitë kushtetuese dhe parimin e proporcionalitetit.
Një nga pikat kryesore të raportit është fakti se të ardhurat nga këto taksa nuk shkojnë drejtpërdrejt për përmirësimin e sistemit gjyqësor, por derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, Avokati i Popullit kërkon që rritja e tarifave të arsyetohet me vlerësime konkrete të ndikimit në qasjen e qytetarëve në drejtësi. Institucioni ka paralajmëruar se pagesat shtesë për mjetet juridike dhe pasojat nga mospagesa e tyre mund t'i dekurajojnë veçanërisht qytetarët që nuk plotësojnë kriteret për ndihmë juridike falas.
Ndryshimet në taksat gjyqësore, të cilat u njoftuan nga KGJK në fillim të vitit, përfshijnë rritje të ndjeshme në disa kategori:
• Për padi me vlerë kontesti nga 0 deri në 5,000 euro, taksa është 60 euro (nga 20 euro që ishte për kontestet deri në 1,000 euro).
• Për padi për pengim posedimi, taksa është dyfishuar nga 50 në 100 euro.
• Për propozim për sigurimin e provës, taksa është rritur nga 30 në 100 euro.
• Në Gjykatën Komerciale, për konteste nga 50,001 deri në 100,000 euro, taksa është caktuar në 500 euro.
Këto ndryshime janë kritikuar që nga momenti i miratimit nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, të cilët kanë paralajmëruar se kostot e larta do të reduktojnë numrin e lëndëve të inicuara në gjykata.