Paga e 13-të, e cila jepet për herë të parë këtë vit në Kosovë, nuk konsiderohet domosdoshmërisht si shtim i fuqisë blerëse nga sindikatat e punonjësve të sektorit publik, të cilët janë përfituesit e vetëm.
Sipas përfaqësuesve të tyre, kjo pagesë shtesë rrezikon të shpenzohet shpejt për nevojat e përditshme, në kushtet e inflacionit mesatar prej rreth 6 për qind, rritjes së çmimeve të karburanteve dhe paralajmërimit për ngritje të tarifave të energjisë elektrike.
Përfaqësuesit e punonjësve e quajnë pagën e 13-të një ndihmë të mirëseardhur, por të pamjaftueshme për të përballuar krizën ekonomike dhe rritjen e vazhdueshme të çmimeve. Ata vlerësojnë se një rritje e përhershme e pagave do të ishte zgjidhje më efektive për qytetarët sesa një pagesë e vetme gjatë vitit.
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës, deklaroi për KosovaPress se realizimi i pagës së 13-të është hap pozitiv dhe realitet pas vitesh pritjeje, por ndikimi i saj do të jetë i kufizuar për shkak të ngritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Ai tha: “Është mirë që është bërë, më në fund. Pagën e 13-të e kemi pasur edhe në kontratën kolektive tonën dhe ndihemi mirë që pas sa viteve edhe po bëhet realitet. Mirëpo, në këtë kohë kur kemi ngritje të vazhdueshme të çmimeve, kjo do të jetë ndihmë e vogël karshi ngritjes së çmimeve dhe konsideroj se më mirë do të ishte mbase të ngriteshin pagat, sepse ato do të ishin një ngritje e përhershme, kurse kjo është një ndihmë e një momenti dhe do t’ju shkojë kolegëve të mi, që nga çerdhet deri në universitet, por edhe tërë sektorit publik, do t’ju shkojë në ngritje çmimesh, do të pajtohen, do t’i përballojnë më lehtë... Do ta humb efektin ajo paga e 13-të karshi gjithë atyre ngritjes së çmimeve dhe ngritjeve që pritet të bëhen. Domethënë, është një ndihmë, por jo shumë domethënëse, ngase do të humbasë fuqinë karshi çmimeve që po ngriten vazhdimisht”.