Plarent Ndreca, avokati i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, deklaroi sot në gjykatën e themelit se në të paktën 35 fashikuj ndodhen prova digjitale në format CD dhe USB.
Këto prova rezultojnë të pahapura, për rrjedhojë të paanalizuara dhe të pavlerësuara nga gjykata gjatë seancës paraprake. Për shkak të mos hapjes së materialeve, asnjë prej tyre nuk i është vënë në dispozicion asnjë mbrojtësi gjatë asaj faze procedurale.
Sipas Ndrecës, e gjithë faza paraprake është zhvilluar pa njohur me këto prova dhe pa mundësi për të ngritur pretendime mbi vlefshmërinë dhe përmbajtjen e tyre. «Ky fakt ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si çështja është shqyrtuar në mungesë të analizës së provave, si dhe mbi vetë bazën mbi të cilën ajo është kaluar për gjykim në themel», u shpreh ai.
Deklarata e Ndrecës u bë në kontekstin e gjyqit ndaj Veliajt në gjykatën e themelit.