Avokatja Venkateswari Alagendra mbajti fjalën përmbyllëse të mbrojtjes së Jakup Krasniqit në gjyqin në Hagë për rastin Thaçi dhe të tjerët, më 16 shkurt 2026. Seanca nisi me 40 minuta vonesë dhe përfundoi deklaratat e mbrojtjes së Krasniqit, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit bashkë me të tjerët nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Alagendra kërkoi shpalljen e pafajësisë së Krasniqit në të gjitha pikat e aktakuzës. Ajo e përshkroi atë si mësues të respektuar dhe aktivist në LDK-në, në kryesinë e saj në Drenas, mbështetës të fuqishëm për lirinë e Kosovës. Për aktivizmin e tij, Krasniqi kaloi 10 vjet si i burgosur politik nga 1981 deri në 1991, ku pësoi torturë dhe keqtrajtim të rëndë nga autoritetet serbe.
Avokatja nënvizoi se Krasniqi është kundërshtar i regjimit serb dhe politikave të aparteidit kundër shqiptarëve të Kosovës, jo për urrejtje ndaj serbëve. "Jakup Krasniqi është njeri krejt ndryshe, nuk është si Sllobodan Millosheviqi", tha ajo, duke cituar dëshmitarë vendorë e ndërkombëtarë që e kanë parë si figurë të moderuar me vullnet për zgjidhje paqësore.
Sipas Alagendrës, pas 232 ditësh gjykim, 234 dëshmitarëve dhe mbi 11 mijë prova materiale, asnjë dëshmitar i besueshëm nuk e ka vendosur Krasniqin në marrje në pyetje, keqtrajtim apo vrasje të civilëve. Provat nuk vërtetojnë se ai ka urdhëruar, inkurajuar apo mbështetur krime ndaj civilëve, por ai ka artikuluar nevojën për mbrojtjen e tyre.