Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka hedhur poshtë pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke argumentuar se organi i akuzës nuk ka arritur të vërtetojë autorësinë, autenticitetin dhe besueshmërinë e materialeve të sekuestruara në nëntor 2020 në shtëpinë e tij.
Avokatja Venkateswari Alagendra theksoi se klienti i saj ka qenë autor librash dhe se materialet e mbledhura lidhen me hulumtime pasluftës për të shkruar libra dy dekada më parë. Ajo vuri në dukje se Krasniqi dinte për hetimet e ZPS-së në Kosovë shumë më herët se ngritja e aktakuzës dhe nuk i shkatërroi dokumentet, çka tregon pafajësinë e tij.
"Nëse Krasniqi do të kishte menduar se materialet hulumtuese dhe dokumentet e tjera në shtëpinë e tij do të ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, ku dhe ai bënte pjesë, apo që ishin inkriminuese për të, pse t’i mbante ato. Fakti që i mbajti dhe nuk i shkatërroi duhet parë në favor të tij sepse ai është i bindur që është i pafajshëm", deklaroi Alagendra.
Ajo kundërshtoi interpretimin e ZPS-së mbi deklaratat e mëhershme të Krasniqit. "Ai asnjëherë nuk ka thënë se materialet e gjetura në shtëpinë e tij kanë qenë të shkruara prej tij. Ai në fakt ka pranuar se ka bërë disa shënime për të shkruar një libër, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht materialet ishin për konfliktin. I përket Prokurorisë të vërtetojë se këto dokumente lidhen me akuzat, përfshirë autorësinë e Krasniqit, dhe të vërtetojnë autenticitetin dhe besueshmërinë e tyre, diçka që nuk e kanë bërë deri më tani", shtoi ajo.
Avokatja akuzoi ZPS-në se ka injoruar prova që nuk i përshtaten narrativës së saj, si dëshmitë mbi emërimin e Krasniqit si zëvendëskomandant i UÇK-së. Dëshmitarët e ZPS-së kanë konfirmuar se ky emërim u mbajt për periudhë të shkurtër, rreth 3 muajsh, dhe u kundërshtua nga komandantët e zonave. Ai nuk u njoh në të gjitha nivelet dhe Krasniqi dha dorëheqje më 27 shkurt 1999.
Përditësime
Mbrojtja e Rexhep Selimit përmbylli deklaratat duke kërkuar pafajësi në ditën e pestë të argumenteve përmbyllëse në gjyqin ndaj katërshes së UÇK-së në Hagë.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit pretendoi se asnjë dëshmitar nuk e ka parë duke rrahur ose keqtrajtuar dikë. Krasniqi shërbeu si zëdhënës i UÇK-së, jo komandant me kontroll ushtarak.
Avokati Aidan Ellis akuzoi ZPS-në se nuk provoi autorësinë e komunikateve të UÇK-së dhe zmadhoi rolin e Krasniqit. Krasniqi pranoi se shkroi komunikata gjatë ofensivave në mungesë takimesh me Shtabin, por ZPS nuk i specifikoi ato.
Pretendimet mbështeten në prova të dobëta, përfshirë intervistën e Rexhep Selimit që nuk e pa Krasniqin duke shkruar. Deklaratat e mbrojtjes së Krasniqit vazhdojnë të hënën.