Banka e Shqipërisë miratoi Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2025. Ky raport identifikon dhe vlerëson rreziqet e sistemit financiar dhe infrastrukturës së tij.
Në këtë periudhë, veprimtaria e sistemit financiar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Zgjerimi i sektorit bankar u përshpejtua nga rritjet e depozitave dhe kapitalit, të cilat u orientuan kryesisht drejt kreditimit dhe investimeve në tituj. Rezultati financiar neto i sektorit bankar ishte pozitiv dhe disi më i ulët se një vit më parë.
Sektori bankar
Rreziqet që burojnë nga ndërlidhjet me segmente të tjera të sistemit financiar dhe nga veprimtaria bankare vlerësohen në nivele të kontrolluara. Treguesit e rezistencës financiare dhe ushtrimet e provës së rezistencës tregojnë se sektori bankar është i qëndrueshëm ndaj rreziqeve të identifikuara.
Banka e Shqipërisë vlerëson se bankat duhet të forcojnë sistemet e parandalimit dhe administrimit të rreziqeve, të testojnë rregullisht rezistencën dhe të ruajnë nivele të përshtatshme kapitalizimi.
Zhvillimet ekonomike
Zhvillimet ekonomike ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe investimeve, si dhe performanca e qëndrueshme pozitive e sektorit të turizmit. Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë, rritje të punësimit dhe pagave. Politika fiskale mbeti e kujdesshme, me peshën e borxhit publik në PBB që vijoi të bjerë. Presionet inflacioniste mbetën nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Rreziqet
Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare lidhen kryesisht me pasigurinë e lartë nga tensionet gjeopolitike. Banka e Shqipërisë këshillon kujdes dhe ruajtje rezervash për t’u përballur me pasojat.