Banorët e fshatit Koliq, në Komunën e Prishtinës, organizojnë sot një protestë paqësore duke filluar nga ora 14:00 te trafoja e fshatit. Kjo protestë vjen si shprehje e pakënaqësisë për ndërprerjet e shpeshta dhe të vazhdueshme të rrymës.
Ndërprerjet po shkaktojnë vështirësi të mëdha në jetën e përditshme të banorëve, duke ndikuar në aktivitetet familjare, bujqësore dhe ekonomike. Sipas tyre, ankesat e përsëritura drejtuar institucioneve kompetente nuk kanë gjetur ende zgjidhje.
Me këtë protestë, banorët kërkojnë reagim urgjent nga autoritetet dhe ndërmarrje masa konkrete për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Ngjarja është paralajmëruar në media lokale një ditë më parë.
Përditësime
Koliqi – Protesta e banorëve kundër ndërprerjeve të shpeshta të rrymës u zhvillua sot pa incidente.
Bedri Hajzeri, kryetari i Koliqit, tha se kanë kërkuar nga KEDS zgjidhje urgjente, por pa përgjigje.
Problemi prek të gjithë Gollakun:
- Infrastruktura e vjetër nuk përballon zhvillimin me shtëpi të reja.
- Rryma e dobët rrezikon djegie dhe dëme në TV-të dhe frigoriferë.
- Mësimi në shkolla ndërpritet për ngrohje me pelet gjatë ndërprerjeve.