Banorët e fshatit Rrjoll, në zonën e Velipojës, kanë zhvilluar një protestë para godinës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Kjo është hera e dytë që ata protestojnë për të kërkuar ndërhyrjen e kësaj prokurorie në dosjen e pronave të tyre.
Protestuesit deklarojnë se posedojnë dokumentacion për pronësinë e tokave brez pas brezi që nga vitet 1930-të. Sipas tyre, Prokuroria dhe Gjykata e Shkodrës nuk kanë hetuar si duhet kallëzimet e tyre. Ata kërkojnë nga SPAK verifikimin e punës së këtyre institucioneve dhe konfirmimin se tokat u përkasin atyre, e jo një personi që i ka kaluar ato një investitori për ndërtimin e resortit turistik.
Banorët pritet të dorëzojnë në SPAK emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të Shkodrës, të cilët sipas tyre kanë abuzuar me dosjen. Pak ditë më parë, ata kanë depozituar një kërkesë zyrtare në prokurori për zgjidhje të shpejtë ligjore mbi vërtetësinë e dokumenteve të pronësisë në zonën ku po zhvillohen punimet. Protestuesit kërkojnë gjithashtu pezullimin e punimeve derisa të sqarohet çështja.
Gjatë protestës, disa banorë kanë hedhur vezë drejt godinës së SPAK. Një protestues ka paralajmëruar se situata "po shkon drejt gjakderdhjes" për shkak të mosveprimit të institucioneve lokale dhe mungesës së shpresës te Prokuroria e Shkodrës pas një viti pritjeje.
Përditësime
Prekë Molla depozitoi dje kallëzimin e tretë në SPAK kundër resortit në Velipojë.
Kallëzimi akuzon:
- Ish-drektorin e Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, për vjedhje prone.
- Bashkim Ulaj, botues dhe ndërtues i quajtur oligark, si ndërtues i resortit.
Raportohen përplasje në Rrjoll midis punonjësve të Ulajt, policisë dhe rojeve private të Breçani Security.
Protesta të mëparshme në vendin e ndërtimit kanë përfshirë përplasje me policinë dhe pronarët privatë.