Banorët e fshatrave të njësisë Thumanë protestuan më 7 mars 2026 për herë të katërt radhazi pranë nënkalimit të autostradës Thumanë-Kashar. Ata kërkuan asfaltimin e rrugës së Gramzës, e cila është dëmtuar rëndë nga automjetet, kryesisht kamionët, që devijojnë nga ky aks rrugor.
Rruga, e gjatë rreth 500 metra, nuk ka marrë investime nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) apo Bashkia Krujë. Protestuesit bllokuan qarkullimin për rreth një orë, duke apeluar për ndërhyrje urgjente në rrugët e dëmtuara të zonës së Krujës.
Një banor deklaroi: «Kemi dalë në protestë për një rrugë 500 metra, na u prishën makinat, na u prish çdo gjë. Ne do të dalim prapë derisa ta shtrojnë këtë copë rrugë. 500 metra rrugë janë, kalojnë kamionët e kanë prishur. Sa më shpejt të na e shtrojnë, ne do të dalim derisa ta shtrojnë».
Një tjetër qytetar shtoi: «Kemi disa kohë që protestojmë dhe nuk kemi marrë asnjë lloj reagimi as nga bashkia as nga institucionet e tjera. Do ta vazhdojmë protestën, do e ndjekim situatën në rrugë ligjore, se po e shohim që nuk po merret asnjë lloj vendimi nga asnjë institucion. Do t’i bëjmë peticion bashkisë dhe institucioneve të tjera përkatëse».
Protestuesit paralajmëruan vazhdimin e bllokimeve të trafikut nëse nuk ka zgjidhje të shpejtë. Ata kërkuan gjithashtu që autoritetet të mbajnë përgjegjëse firmën kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugës. Një banor i Thumanës u shpreh: «Përderisa nuk na dëgjon njeri, ne do të vazhdojmë punën tonë, por unë gjykoj që boll më. Pritja e ka një kufi. Autoritetet, shteti të vënë përpara përgjegjësisë firmën kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugës».
Përditësime
Një banor i Thumanës shprehu frustrim ndaj autoriteteve: "Asnjë lloj reagimi nuk ka, as nga bashkia as nga qeveria. Kjo është tallje", tha ai.