Banorët e Ura e Gjolës, në njësinë administrative të Fushë-Krujës, kanë zhvilluar një protestë më 13 shkurt për gjendjen e rrugës që lidh fshatin e tyre me autostradën Fushë Krujë-Vorë.
Rruga është plot gropa dhe pellgje uji në të gjithë gjatësinë e saj dhe nuk është asfaltuar kurrë, pavarësisht se buzë saj jetojnë rreth 100 familje. Banorët thonë se kanë kryer riparime vetë, ndërsa ankesat në Bashkia Krujë nuk kanë marrë përgjigje.
Ata theksojnë se aksi është pothuajse i pakalueshëm, veçanërisht gjatë reshjeve, dhe kalimi i autoambulancave apo mjeteve zjarrfikëse është i vështirë. Sipas tyre, transportimi i një të sëmuri drejt spitalit mund të zgjasë deri në dy orë, duke rrezikuar jetën.
Banorët kujtojnë se ishin të prekur nga shpronësimet për autostradën Thumanë-Kashar, kohë kur u premtoi ndërtimi i kësaj rruge, premtim që nuk u realizua. Një banor përmend se për tokën e tij ka marrë vetëm 170 mijë lekë të vjetra.
Protestuesit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe një afat të qartë për punimet. Nëse Bashkia Krujë nuk jep përgjigje konkrete, ata paralajmërojnë bllokimin e autostradës Fushë Krujë-Vorë si formë presioni.