Autoritetet policore të Shqipërisë dhe Greqisë zhvilluan një takim të rëndësishëm në ambientet e Qendrës së Përbashkët të Kontaktit për Bashkëpunimin Policor dhe Doganor në Kakavijë. Në qendër të diskutimeve ishte përballimi i fluksit të lartë të qytetarëve në pikat e kalimit kufitar dhe forcimi i bashkëpunimit për luftën kundër krimeve ndërkufitare.
Pjesë e takimit ishin Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj, si dhe drejtues të Policisë Kufitare në Gjirokastër dhe të stacionit të Kakavijës. Nga pala greke morën pjesë drejtuesit e Pikës së Kalimit Kufitar Kakavijë dhe të Drejtorisë së Kufirit në Janinë. Për shkak të një angazhimi emergjent, drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Kufirit në Policinë greke, kolonel Andreas Karageorgos, e ndoqi takimin përmes një lidhjeje online.
Palët u zotuan për intensifikimin e masave të përbashkëta, me synim krijimin e lehtësirave për qytetarët dhe përshpejtimin e procedurave të kalimit. Drejtuesi i Parë Saimir Muçaj siguroi publikun për një angazhim maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare, duke garantuar një koordinim të vazhdueshëm me autoritetet greke për të shmangur radhët e gjata gjatë hyrje-daljeve në kufi.