Bashkimi Evropian ka dërguar ndihma emergjente në Serbi për të mbështetur përpjekjet në shuarjen e zjarreve masive që kanë përfshirë disa zona të vendit. Serbia aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian ditën e premte, pas përpjekjeve disajavore për të vënë nën kontroll zjarrin në rezervatin natyror Deliblatska Peščara, i cili ndodhet rreth 80 kilometra larg Beogradit, si dhe zjarre të tjera në pjesën jugperëndimore të territorit serb.
Kreu i misionit të Bashkimit Evropian në Beograd, Andreas Beckerath, përmes një njoftimi në platformën X, theksoi përkushtimin e organizatës për mbrojtjen e jetëve, mjeteve të jetesës dhe trashëgimisë natyrore të zonës. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë, ndihma ndërkombëtare përbëhet nga:
• Katër helikopterë zjarrfikës të tipit Black Hawk nga Rumania, Sllovakia dhe Republika Çeke.
• 55 zjarrfikës dhe 24 automjete nga Gjermania.
• 69 zjarrfikës dhe 15 automjete nga Rumania.
Operacioni i shuarjes ka nisur zyrtarisht të shtunën, me pjesëmarrjen e një helikopteri nga Rumania dhe një nga Sllovakia. Ndërkohë, autoritetet serbe, nëpërmjet kreut të Departamentit për Emergjenca, Luka Çausiq, konfirmuan se dy helikopterë të tjerë nga Republika Çeke do t'i bashkohen operacionit ditën e diel.