Anëtarët e Batalionit të 1-rë të Mekanizuar Tigrat të Ushtrisë Kroate kanë përfunduar fazën e dytë të trajnimit para-vendosjes për operacionin e mbështetjes së paqes të NATO-s, KFOR, në Kosovë. Në maj, ata do të marrin detyrat nga pjesëtarët e kontingjentit të 44-të kroat.
Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë njoftoi se pjesëtarët e batalionit kryen së fundmi një cikël trajnimi që zgjati 72 orë në kazermën Kolonel Predrag Matanoviq në Petrinja. Stërvitja u zhvillua pa ndërprerje, në kushte dite dhe natë, për të verifikuar dhe rritur gatishmërinë në operacionet e stabilizimit.
Gjatë trajnimit u kryen detyra si sigurimi i zonave, patrullimet, kontrolli i lëvizjeve, veprimet me popullsinë civile dhe reagimi ndaj incidenteve të sigurisë. Theks i veçantë iu kushtua komandës dhe kontrollit, vendimmarrjes në rrethana komplekse si dhe koordinimit brenda njësisë.
Kapiteni Vlladimir Kordiq, komandant i togës së motorizuar, deklaroi: "E kemi konceptuar stërvitjen që të jetë sa më realiste dhe të përgatisë pjesëtarët e njësisë për situatat më kërkuese në terren. Ajo zhvillohet intensivisht, në terren, për 72 orë. Detyrat kryhen pa ndërprerje, me rotacion të njësive, duke simuluar kështu kushtet reale të operimit në një mjedis operativ". Ai shtoi se ky trajnim siguron nivel të lartë përgatitjeje dhe përfaqësim dinjitoz të njësisë dhe vendit.
Ky cikël përgatitor konfirmon nivelin e lartë të stërvitjes dhe gatishmërisë së batalionit për detyra në mjedis ndërkombëtar, sipas Ministrisë kroate të Mbrojtjes. Pjesëmarrja në KFOR vazhdon kontributin e Kroacisë në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.