Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, zhvilloi sot një takim zyrtar me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. Në qendër të bisedimeve ishin zhvillimet politike, kriza institucionale dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova.
Gjatë këtij takimi, palët diskutuan për domosdoshmërinë e konstituimit sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës. Në bashkëbisedim u vu theksi te respektimi i rendit kushtetues, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe avancimi i proceseve integruese të vendit në strukturat euroatlantike.
Bedri Hamza theksoi se funksionimi i institucioneve dhe respektimi i Kushtetutës përbëjnë detyrime institucionale dhe themele të demokracisë, të cilat nuk mund të nënshtrohen ndaj vullnetit politik të një partie apo individi të caktuar. Kreu i PDK-së shprehu shqetësimin e tij për precedentin e krijuar nga refuzimi i partisë që doli e para në zgjedhje për të vepruar në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të takimit, Hamza rikonfirmoi vendosmërinë e PDK-së për të shfrytëzuar të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale në mbrojtje të rendit kushtetues, institucioneve të Republikës dhe interesave të qytetarëve. Ai nënvizoi përkushtimin e partisë së tij për ndërtimin e një Kosove demokratike, funksionale dhe ekonomikisht të zhvilluar, si dhe forcimin e marrëdhënieve me aleatët strategjikë.