Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me statusin e tij në raport me autoritetet amerikane. Në një deklaratë për mediat pas fjalës së mbajtur në Kuvend, ai theksoi se nuk ka qenë kurrë non grata, por ka pasur vetëm një ndalim hyrjeje në SHBA si pasojë e një sanksioni për vizën.
Berisha konfirmoi se ky kufizim është hequr pas një komunikimi zyrtar, megjithatë ai nuk dha hollësi mbi zyrtarët ose institucionet me të cilët ka zhvilluar këto biseda. Sipas tij, etiketimi non grata ishte një interpretim i përdorur nga kundërshtarët e tij politikë, të cilin ai nuk e ka kundërshtuar publikisht deri më tani.
"U ktheva. Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non grata. Ka pasur një sanksion, vizën. Kundërshtarët e mi e kanë quajtur non grata, por unë nuk e kam kundërshtuar. Sot unë them se u ktheva", u shpreh Berisha gjatë prononcimit të tij.
Përditësime
Partia Demokratike njoftoi se Sali Berisha nuk mban më statusin "non grata" nga Departamenti i Shtetit i SHBA, pas 5 vitesh nga vendosja e masës. Ky ndryshim, i cili rrjedh nga një proces zyrtar i komunikuar nga DASH, u formalizua gjatë një telefonate 15-minutëshe midis Sali Berishës dhe të ngarkuarës me punë të SHBA, Nancy Van Horn.