Trajneri Besnik Hasi është ndëshkuar nga Bordi Disiplinor i Federatës Turke të Futbollit pas incidenteve të shënuara në ndeshjen e javës së gjashtë të Superligës kundër Besiktasit. Pas përfundimit të takimit, të cilin Amedspor e fitoi me rezultatin 3-2 më 20 shtator, trajneri u shfaq i tensionuar dhe iu drejtua gjyqtarit të ndeshjes. Për këtë arsye, Hasi është pezulluar për një ndeshje zyrtare dhe është gjobitur me shumën prej 1800 eurosh (100 mijë lira turke).
Kjo masë disiplinore do të thotë se trajneri nuk do të jetë i pranishëm në stol për sfidën e radhës ndaj Gençlerbirligit, e cila do të luhet pas pushimit të ndeshjeve të kombëtareve. Amedspor po përjeton një fillim sezoni të suksesshëm, duke u renditur aktualisht në vendin e parë të tabelës me 13 pikë, në kuota të barabarta me Galatasarajn. Pjesë e formacionit që drejtohet nga Besnik Hasi janë edhe futbollistët e kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova dhe Ermal Krasniqi.
Krahas dënimit të trajnerit, edhe klubi i Amedspor është ndëshkuar me gjobë nga organet kompetente për shkak të sjelljeve gjatë ndeshjes. Vendimet nuk janë pritur mirë nga drejtuesit e skuadrës, të cilët kanë kundërshtuar masat e marra.