Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë bllokuar që nga mesdita e 26 janarit disa pika kufitare, duke ndaluar qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.
Protesta është kundër sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, të quajtur EES, që parasheh që shtetasit jashtë Schengen-it të qëndrojnë maksimumi 90 ditë brenda 180 ditësh. Transportuesit e quajnë këtë periudhë të pamjaftueshme për udhëtime në vende të largëta, duke shkaktuar humbje ekonomike dhe rrezik dëbimi. Ata kërkojnë përjashtim të kompanive të transportit nga ky rregull dhe paralajmërojnë vazhdim të bllokadës për shtatë ditë, nëse nuk gjendet zgjidhje.
Kosova nuk merr pjesë në protestë, por ndien pasojat, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende. Edhe shoferët kosovarë preken nga sistemi EES.
Kompania kosovare Relux, që prodhon ngjyra dhe fasada, po përjeton vonesa të menjëhershme: produktet për Britaninë e Madhe nuk kanë mundur të nisin sipas planit. Drejtuesi Ramiz Gashi thotë se, sipas marrëveshjes, ato duhej të arrinin brenda kësaj jave, ndryshe kontrata rrezikon të shkelet, të rinegociohet ose të dështojë.
"Ne mund ta humbim këtë blerës, që është potencialisht më i rëndësishmi që kemi", thotë Gashi. Ai shton se vonesat dëmtojnë kontratat me partnerë në Gjermani dhe Kroaci, duke rrezikuar investimet me kredi bankare që duhet të shlyhen në afate të caktuara.
Ndërmarrja Kalaja Epox në Shtime përjeton pasoja të ngjashme në import, sipas Ruzhdi Rexhaj. Bizneset kosovare përballen me vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare. Ekspertët paralajmërojnë mundësinë e rritjes së çmimeve dhe theksojnë nevojën për politika mbrojtëse dhe stimuj për prodhuesit vendorë.