Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka shprehur shqetësimin e saj për protestat e kompanive transportuese në shtetet e rajonit. Sipas reagimit të saj, këto protesta po shkaktojnë pasoja serioze për funksionimin e bizneseve kosovare dhe rrjedhën e tregtisë ndërkombëtare.
Këto zhvillime kanë ndikuar drejtëpërdrejt në pamundësimin e eksportit dhe importit të mallrave drejt dhe nga vendet e Bashkimit Evropian. Si pasojë, janë krijuar vonesa të konsiderueshme, kosto shtesë për kompanitë dhe rrezik real për ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, njëkohësisht kryesues i bordit të WB6 CIF, ka adresuar vazhdueshëm këtë problem në komunikimet me institucionet e Bashkimit Evropian. Ai ka kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe sistemike, në interes të funksionimit të lirë të tregtisë dhe ruajtjes së zinxhirëve të furnizimit midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
OEK i bën thirrje Bashkimit Evropian për ndërhyrje urgjente institucionale, që do të mundësonte funksionimin normal të transportit ndërkombëtar rrugor deri në krijimin e një zgjidhjeje të përhershme. Një qasje e tillë është në interes të përbashkët të ekonomive të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, si dhe përbën parakusht për stabilitet ekonomik, integrim tregtar dhe zhvillim të qëndrueshëm rajonal.
Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e angazhuar për mbrojtjen e interesave të komunitetit të biznesit dhe për kontributin në dialogun institucional me partnerët evropianë, në funksion të garantimit të një tregtie të lirë, të sigurt dhe funksionale.
Përditësime
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) shprehu shqetësim për protestat e transportuesve në shtetet fqinje, të cilat kanë penguar operacionet normale të kompanive kosovare.