Në segmentin Arrat e Gurrës, të njohur edhe si Dragostunjë, në aksin kombëtar Librazhd-Prrenjas, qarkullimi është pezulluar për afat të pacaktuar pas dëmtimit të rëndë të trupit të rrugës. Qindra drejtues mjetesh dhe pasagjerë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në të dy anët e segmentit.
Shoferët, të ngujuar mes radhëve të gjata të automjeteve, kanë zgjedhur devijimin nga qyteti i Librazhdit. Itinerari alternativ kalon përmes fshatit Spathar, më tej përgjatë rrugës Egnatia deri në fshatin Dardhë, për të ridalin në segmentin kombëtar Hotolisht-Prrenjas.
Kjo rrugë rurale, me gjerësi të kufizuar dhe infrastrukturë jo të përshtatur për fluks të lartë, ka krijuar kolona të reja dhe lëvizje të ngadaltë. Ajo shërben si alternativë e improvizuar, por paraqet vështirësi të shumta për drejtuesit.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje të qëndrueshme, pasi ky aks lidh zonat e lindjes me pjesën qendrore të vendit. Autoritete nuk kanë dhënë ende njoftim për rinisjen e qarkullimit.
Aksi Librazhd-Hotolisht mirëmbahet nga kompania ANK sh.p.k., e cila kryen edhe punimet për zgjerimin e segmentit si pjesë e Korridorit të Tetë. Para kësaj, mirëmbajtjen e kryente kompania 2T.
Drejtuesit këshillohen të shmangin segmentin e bllokuar dhe të informohen paraprakisht për gjendjen e rrugëve.