Qarkullimi i automjeteve është pezulluar pa afat në segmentin e rrugës kombëtare Librazhd–Korçë, konkretisht në zonën Arrat e Gurrës, pas zhvendosjes dhe fundosjes së tokës. Kjo ka lënë qindra drejtues mjetesh dhe pasagjerë të bllokuar në të dyja anët e aksit, mes tyre familjarë me fëmijë të vegjël, të moshuar dhe mjete transporti të rënda.
Situata paraqitet e pasigurt për shkak të çarjeve të thella në trupin e rrugës. Disa drejtues kanë pritur mbi tre orë pa informacion të qartë. «Jemi nisur që në mëngjes drejt Korçës dhe kemi mbetur këtu pa asnjë informacion të qartë. Na thanë se rruga është mbyllur pa afat. Nuk dimë nga të kalojmë», shprehet një drejtues automjeti.
Një qytetar që udhëtonte me familjen thekson vështirësitë: «Fëmijët janë lodhur, nuk kemi as ujë mjaftueshëm. Duhet një zgjidhje alternative sa më shpejt.» Në disa raste, qytetarët kanë marrë udhën në këmbë nga Librazhdi drejt Përrenjasit. «Nuk i lënë, të paktën të vijnë furgonë deri këtu. Do të presim ndonjë makinë të vijë të na marrë», thotë njëri prej tyre. Një grua e sëmurë shton: «Jam vetë e sëmurë, me një veshkë. Nuk ec dot në këmbë. Kam një orë e gjysmë që ec në këmbë.»
Drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë shprehin shqetësim për vonesat ekonomike: «Çdo orë vonesë për ne është kosto. Transportojmë mallra që duhet të dorëzohen brenda ditës.»
Banorët e zonës vërejnë se problemi ka qenë i pranishëm gjatë javëve të fundit dhe çarjet janë thelluar gradualisht. «Kjo ishte e paralajmëruar. Toka ka lëvizur edhe herë të tjera, por tani situata duket shumë më e rëndë», thotë një banor.
Drejtuesit e mjeteve kërkojnë informacion zyrtar, orientim për rrugë alternative dhe ndërhyrje të shpejtë për stabilizimin e segmentit.