Segmenti rrugor në zonën Arrat e Gurrës të fshatit Dragostunjë në Librazhd, pjesë e aksit Librazhd-Prrenjas, ka pësuar një fundosje dhe rrëshqitje të madhe toke në rrugën dytësore. Ky segment pritej të hapej sot në mesditë pas ndërhyrjes me by-pass dhe aktivizimit të rrugës dytësore për kalim provizor të mjeteve.
Lëvizja masive e dheut ka dëmtuar punën e kryer ditët e fundit, duke e bërë të pakalueshëm për një kohë të gjatë këtë pjesë strategjike. Është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe i këmbësorëve, ndërsa është vendosur sinjalistika për rrezikun e segmentit.
Burime nga terreni njoftojnë se janë hequr makinat e firmës për të shmangur fundosjen e mëtejshme. Specialistët paralajmërojnë se terreni në këtë zonë mbetet tepër i paqëndrueshëm, çka e bën çdo ndërhyrje teknike të vështirë dhe me rrezik të lartë.
Situata ka alarmuar strukturat shtetërore dhe qeverinë shqiptare, ndërsa pritet rivlerësim urgjent i kushteve gjeologjike dhe i planit të ndërhyrjes. Bllokimi vazhdon të krijojë probleme në qarkullimin e mjeteve dhe lidhjen mes zonave, duke rritur nevojën për zgjidhje afatgjatë infrastrukturore.
Përditësime
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton tërheqjen e menjëhershme të mjeteve dhe rivlerësimin urgjent të zonës së shembur në Arrat e Gurrës, Dragostunjë.
Ami Kozeli, kryetar i ARRSH-së, deklaroi se rruga do të hapet mesditën e së hënës, një ditë më herët se pritej.