Boban Toniç, ish-gardian i Burgut të Prishtinës në paralelen e Lipjanit, u deklarua i pafajshëm për akuzën e krimeve lufte gjatë seancës gjyqësore të mbajtur më 20 janar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Gjyqtari Rrahman Beqiri e informoi fillimisht të pandehurin për të drejtat e tij ligjore. Toniç akuzohet se gjatë viteve 1998-1999, në cilësinë e gardianit, kishte shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë.
Aktakuza u ngrit nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 31 janar 2025. Sipas saj, Toniç, së bashku me gardianë të tjerë, kishte maltretuar në mënyrë sistematike të burgosurit shqiptarë. Ata i kishin torturuar me shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike.
Prokuroria pretendon se të pandehuri i kishte lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra, i kishte kanosur për jetën dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme, ata kishin pësuar ankth dhe frikë të përhershme.
Gjykata njoftoi se avokati i të pandehurit, Pregrad Millkoviç, ka 20 ditë afat për të kundërshtuar provat e Prokurorisë dhe për të kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës.
Ky rast është pjesë e një serie aktakuzash nga Prokuroria Speciale. Më 16 janar u ngrit aktakuza kundër një gruaje, dyshuar si gardiane e të njëjtit burg, për keqtrajtimin e të burgosurve shqiptarë. Vitin e kaluar u ngritën aktakuza në mungesë ndaj 21 personave për vrasjen e civilëve në Reçak të Shtimes dhe ndaj 21 personave të tjerë për dëbimin me forcë.