Aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm të mjeteve ka sjellë rënie të lehtë të çmimit mesatar të këtij produkti.
Mbështetur në statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në janar 2026 primi mesatar i shkruar bruto për një kontratë sigurimi TPL ishte pak poshtë 18 900 lekëve. Krahasuar me janarin 2025, ky prim ka rënë me 2.7%.
Në total, primet e shkruara bruto nga produkti TPL u rritën me 4.6%. Kjo rritje erdhi nga shtimi i numrit të kontratave me 7.4% më shumë se një vit më parë.
Sistemi bonus-malus zbatohet që nga 1 janar 2026. Ai parashikon prim më të lartë për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme dhe prim më të ulët për ata që nuk i kanë shkaktuar.
- Për një dëm të vetëm aplikohet koeficienti 1.18 (malus 18%).
- Për dy ose më shumë dëme aplikohet koeficienti 1.39 (malus 39%).
- Për drejtues pa dëme gjatë 2025 jepet bonus 3%.
Sipas vlerësimeve të kompanive të sigurimit, rreth 4% e drejtuesve kanë shkaktuar dëme në 2025 dhe do të paguajnë prim më të lartë në 2026. Ndërsa 96% e tyre do të përfitojnë ulje të çmimit të sigurimit TPL.