Kryesia e Bordit Industrial të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (USHAF) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me mosparashikimin e mjeteve buxhetore për këtë institucion në Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës. Sipas bordit, i cili përfaqëson mbi 120 biznese partnere, ky vendim rrezikon të dëmtojë një model të dëshmuar të bashkëpunimit ndërmjet sektorit akademik dhe atij privat.
Komuniteti i biznesit ka theksuar se bashkëpunimi me USHAF-in ka qenë vendimtar në hartimin e kurrikulave akademike, proceset e akreditimit të programeve dhe ndërtimin e strategjive zhvillimore. Kjo partneritet ka mundësuar investime në laboratorë modernë për fusha si përpunimi i drurit dhe metaleve, energjia e ripërtëritshme dhe dizajni. Rezultatet e këtij modeli, sipas bordit, janë të prekshme përmes punësimit të të diplomuarve dhe aftësisë së tyre për t'u integruar menjëherë në proceset prodhuese.
Në mbështetje të kërkesës është angazhuar edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK). Në një reagim publik, OEK-u ka vlerësuar se Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj luan një rol kyç në përgatitjen e kuadrove profesionale. Oda Ekonomike ka theksuar se investimi në këtë universitet është investim në zhvillimin ekonomik të vendit dhe u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, konkretisht Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të sigurojnë financimin e nevojshëm për funksionimin e këtij institucioni.
Reagimi i Bordit Industrial dhe i OEK-ut pason qëndrimin e vetë universitetit, i cili ditë më parë kishte bërë thirrje për rishikimin e projektligjit, duke kërkuar që USHAF të mos mbetet jashtë parashikimeve buxhetore për vitin e ardhshëm.