Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro mori pjesë në Konferencën e Rektorëve, ku të pranishëm ishin 40 rektorë të universiteteve publike dhe jopublike, si dhe kryeministri Edi Rama.
Ajo njoftoi miratimin e granteve për institucionet e arsimit të lartë publike përmes vendimit të bordit të Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë. Këto grante arrijnë në 11,2 miliardë lekë, ose 115 milionë euro, të ndara në Fond Institucional dhe Fond për Mbështetjen Studentore. Fondet mbështesin me paga rreth 5.800 personel akademik dhe administrativ në 14 universitetet publike, si dhe mbi 12.000 studentë ekselentë ose me nevoja sociale përmes bursave.
Ministrja Kumbaro kërkoi një raport më transparent për menaxhimin e këtyre fondeve dhe një marrëdhënie të re komunikimi midis Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve, në mënyrë që Ministria të dijë saktësisht fondet e trashëguara për shpërndarje më të drejtë.
Kërkimi shkencor
Sa i përket kërkimit shkencor, qeveria vë në dispozicion 7 milionë euro përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor për projekte dhe infrastrukturë shkencore. Ministrja theksoi nevojën që kërkimi të jetë konkurrues, i orientuar drejt inovacionit dhe i lidhur me nevojat e tregut dhe sfidat bashkëkohore.
Ajo u ndal tek problematikat e realizimit të projekteve. Në të dhënat e tre viteve të fundit, mes projekteve të miratuara dhe atyre të realizuara përmes AKKSHI-së, ekziston një hendek i madh, me normë realizimi shumë të ulët. Kjo shtyn drejt mënyrave më efikase të shpërndarjes së buxhetit, në përputhje me praktikat e Bashkimit Evropian, duke përfshirë angazhimin shumëvjeçar të fondeve, transferimin e tyre midis viteve dhe auditime.
Integrimi evropian
Në kontekstin e integrimit evropian, ministrja përmendi përgatitjen e qëndrueshme për procesin aderues, me fokus te ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe përfshirja në rrjete akademike europiane. Kapitujt 25 dhe 26, të drejtuar nga Ministria e Arsimit, kanë avancim të kënaqshëm dhe pritet të mbyllen mes të parëve. Ajo kërkoi rishikim të Ligjit për Arsimin e Lartë për përshtatje me legjislacionin e BE-së dhe kontributin e rektorëve për përmirësimin e cilësisë, infrastrukturës dhe kërkimit.