Eugen Cakolli, ekspert nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka të drejtë të shpallë rezultatet përfundimtare pa u konsumuar afati ligjor prej 48 orësh për paraqitjen e ankesave lidhur me administrimin e procedurave të numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas tij, legjislacioni zgjedhor njeh shprehimisht të drejtën e subjekteve politike dhe kandidatëve për të ankimuar çdo shkelje të supozuar gjatë procesit të numërimit në QNR, brenda 48 orëve nga momenti i shkeljes së pretenduar. Cakolli e dallon këtë ankimim si çështje të ligjshmërisë procedurale, të ndarë nga ai që i përket ligjshmërisë së rezultateve përfundimtare.
Ai ka theksuar se asnjë fazë e procesit zgjedhor, përfshirë numërimin në QNR, nuk është e përjashtuar nga kontrolli ligjor. Çdo veprim që pengon zbatimin e të drejtës për ankesë përbën mohim të mjetit juridik të garantuar me ligj.
Deklarata e Cakollit vjen në një kohë kur KQZ ka njoftuar se do të shpallë rezultatet nesër, ndërsa procesi zgjedhor po afrohet drejt përmbylljes mes debateve për respektimin e afateve ligjore dhe ligjshmërinë e procedurave të numërimit.