Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me vonesat e gjata me të cilat po përballen bashkatdhetarët në pikat kufitare gjatë kthimit të tyre për në Kosovë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka theksuar se mërgimtarët, të lodhur nga udhëtimi i gjatë, po detyrohen të presin për orë të tëra në kufijtë e vendeve të rajonit.
Sipas Çitakut, Qeveria e Kosovës nuk po ndërmerr hapat e nevojshëm për të përmirësuar këtë gjendje. Ajo vlerëson se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të duhej të kishte vendosur kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet e Zagrebit dhe Podgoricës për të koordinuar masat lehtësuese. Gjithashtu, ajo sugjeroi dërgimin e Ministrit të Jashtëm në terren për të asistuar në zhbllokimin e fluksit të automjeteve.
Vlora Çitaku kritikoi ashpër qasjen e kryeministrit Kurti, duke deklaruar se ai po u tregon mërgimtarëve përralla në vend që të merret me problemet reale. Ajo shtoi se mërgata ka nevojë për një shtet që vepron, duke e cilësuar qasjen aktuale të kryeministrit si të largët nga nevojat praktike të qytetarëve.
“Në vend që të merrte menjëherë kontakt me Zagrebin dhe Podgoricën, të koordinonte veprimet me autoritetet e atjeshme dhe të dërgonte Ministrin e Jashtëm për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, Albin Kurti ka zgjedhur t’u tregojë mërgimtarëve tanë përralla me gjermanë e rusë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo më tej deklaroi se qeveria ose po tallet me qytetarët, ose kryeministri jeton në një univers paralel, duke theksuar se mërgata nuk ka nevojë për ligjërata ideologjike, por për zgjidhje të situatës së krijuar në kufij.