Pas disa ditësh me rritje të njëpasnjëshme, çmimi i naftës në tregun me pakicë në Shqipëri ka shënuar një ulje të ndjeshme mbrëmjen e kësaj të hëne. Vëzhgimet në terren konfirmojnë se disa nga rrjetet kryesore të tregtimit të karburanteve kanë zbritur çmimin nga 214 lekë në 199 lekë për litër, duke e rikthyer atë nën kufirin e 200 lekëve për herë të parë pas disa javësh.
Lëvizja vjen në një moment kur tregjet ndërkombëtare kanë nisur të reflektojnë një rënie të vlerës së naftës, pas rritjeve të forta të javëve të fundit. Ndërsa të dhënat e doganave treguan për një ulje prej rreth 9.7% ose 136 dollarë për ton në çmimin e importit, ky zhvillim nuk u reflektua menjëherë në pikat e shitjes deri mbrëmjen e sotme.
Ky ndryshim rikthen në vëmendje periudhën e marsit-qershorit të këtij viti, kur për shkak të luhatjeve të forta në bursa, çmimet maksimale të karburanteve përcaktoheshin nga Bordi i Transparencës. Ndryshe nga ajo periudhë, ulja aktuale nuk është rezultat i një vendimmarrjeje administrative, por një reflektim i drejtpërdrejtë i operatorëve të tregut në përputhje me zhvillimet globale. Mbetet për t’u parë nëse qeveria do të marrë ndonjë vendim për rikthimin e funksionimit të këtij bordi në rast të luhatjeve të mëtejshme të çmimeve.