Gjon Culaj, profesor i studimeve të sigurisë dhe hulumtues i jashtëm i Institutit Octopus, ka deklaruar se armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk mund të shihet e ndarë nga veprimet konkrete në terren dhe qasja e saj ndaj Kosovës.
Sipas tij, dilema e sigurisë në rajon bëhet edhe më e theksuar kur forcimi ushtarak shoqërohet me veprime destabilizuese në veri të Kosovës, përfshirë akte të dhunshme dhe terroriste që synojnë krijimin e pasigurisë dhe tensioneve të vazhdueshme.
Culaj thekson se këto zhvillime nuk janë të izoluara, por janë në sinkron me përpjekjet për ta paraqitur Kosovën si shtet të dështuar, qoftë përmes fushatave kundër njohjeve apo bllokimit të përfshirjes së saj në organizata ndërkombëtare.
"Në këtë kuptim, armatosja e Serbisë nuk mund të interpretohet thjesht si masë mbrojtëse, por si pjesë e një strategjie më të gjerë që kombinon presionin politik, diplomatik dhe të sigurisë", vlerëson ai.
Sipas Culajt, Kosova si faktor paqeje në rajon ka nevojë për garanci të forta sigurie urgjente. Anëtarësimi në NATO duhet të mbetet prioritet strategjik. "Kosova në NATO, sa më shpejt të jetë e mundur, ndonëse jo proces i lehtë, duhet të mbetet prioriteti ynë strategjik. Të qenurit pjesë e kësaj aleance do ta reduktonte ndjeshëm hapësirën për destabilizim dhe do ta forconte pozicionin ndërkombëtar të vendit tonë", deklaron ai.
Në përfundim, Culaj vlerëson se në një botë të fragmentuar, paqja dhe siguria ndërtohen çdo ditë. "Rritja e kapaciteteve ushtarake dhe integrimi në NATO duhet të jenë përgjigjet tona ndaj Serbisë", përfundon ai.