Një dokumentar i ri, që pritet të transmetohet në emisionin Sept à Huit, do të publikojë fragmente video nga grabitja e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris, e ndodhur më 19 tetor 2025.
Sipas Le Parisien, pamjet tregojnë një nga autorët duke u përpjekur të thyejë vitrinën fillimisht me një send të fortë dhe më pas duke goditur xhamin me grushte për të marrë bizhuteritë. I veshur me jelek verdhë e zi, ai më pas i bashkohet bashkëpunëtorit për të çmontuar një vitrinë të dytë dhe për të hequr sende të tjera të vlefshme.
Tre muaj pas ngjarjes, katër persona të dyshuar ndodhen në paraburgim. Bizhuteritë mbeten të pagjetura, me mundësi që të jenë të fshehura në një kasafortë jashtë Francës, në një vendstrehim brenda vendit ose në fund të lumit Senë.
Prokurorja e përgjithshme e Parisit, Laure Bekou, deklaroi se prioriteti kryesor është rikuperimi i bizhuterive. Hetuesit mbajnë të gjitha pistat e hapura dhe nuk kanë tregues se sendet kanë kaluar kufirin, por nuk përjashtojnë asnjë mundësi.
Sa i përket motivit, autoritetet po shqyrtojnë pistën nëse grabitja ishte e urdhëruar, por nuk e konsiderojnë atë më të mundshme se të tjerat. Laure Bekou theksoi se hetimet do të vazhdojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, pa paragjykime.