Dy ngjarje të rënda janë shënuar së fundmi në qarkun e Beratit, ku dy biznese janë bërë objekt i grabitjeve gjatë orëve të natës. Në të dyja rastet, autorët kanë hyrë duke dëmtuar derën kryesore të objekteve dhe kanë marrë kasafortat.
Njëra prej vjedhjeve ka ndodhur në biznesin “Veza e Mëngjesit”, i cili ndodhet përgjatë aksit nacional Berat-Dimal dhe është në pronësi të shtetasit Leonard Fani. Rasti i dytë është regjistruar në banesën e shtetasit Lumnir Osoja, pronar i kompanisë “Center Albania”.
Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat bëjnë me dije se, sipas denoncimeve të biznesmenëve, dyshohet se autorët kanë vepruar të maskuar dhe me kapuça. Po hetohet mundësia që pas të dyja ngjarjeve të qëndrojë i njëjti grup personash. Në kuadër të veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë nga biznesi dhe banesa përkatëse, por deri në këto momente nuk është bërë i mundur identifikimi apo arrestimi i autorëve të këtyre grabitjeve. Policia nuk ka publikuar ende një njoftim zyrtar lidhur me këto raste.
Përditësime
Hetimet paraprake të Policisë së Beratit përqendrohen te një grup i strukturuar kriminal, i dyshuar për grabitjet e regjistruara gjatë 10 ditëve të fundit. Sipas të dhënave të reja, dëmi ekonomik për secilën kasafortë të vjedhur vlerësohet në 100 milionë lekë, duke e çuar dëmin total në 200 milionë lekë.