Dashnor Sula, Inspektori i Përgjithshëm, mori pjesë në analizën vjetore të punës së Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore më 13 mars.
Në këtë takim u prezantuan rezultatet e vitit të fundit dhe prioritetet për kontrollin e tregut farmaceutik dhe të pajisjeve mjekësore.
Sula theksoi rëndësinë që barnat dhe pajisjet mjekësore të jenë të certifikuara dhe të përputhen me standardet ligjore dhe ato të Bashkimit Evropian.
Ai vuri në dukje rrezikun që paraqesin barnat kontrabandë, të falsifikuara apo të skaduara, si dhe dhënia e shërbimit nga personel i paautorizuar, të cilat kërcënojnë shëndetin publik.
Kontrolli i rreptë dhe përputhja me standardet evropiane konsiderohen të domosdoshme për modernizimin e sistemit të mbikëqyrjes dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.
Në fjalën e tij, Sula deklaroi: «Ky është një sektor ku nuk mund të ketë kompromis. Barnat kontrabandë, ato të falsifikuara apo të skaduara nuk kanë vend në tregun shqiptar. Qasja jonë është dhe do të mbetet tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje në këtë fushë kaq të ndjeshme».
Ai nënvizoi nevojën për inspektime të shtuara ndaj farmacive sezonale gjatë periudhës turistike, veçanërisht në zonat verore, dhe mbikëqyrje më të rreptë të depove farmaceutike në spitale.
Këto masa synojnë garantimin e ruajtjes dhe shpërndarjes së barnave sipas standardeve të kërkuara.
Në përfundim, Sula u shpreh se Inspektorati i Përgjithshëm do të vazhdojë të mbështesë mekanizmat e kontrollit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për një treg të sigurt dhe të harmonizuar me standardet evropiane.