Eurodeputeti i Demokracisë së Re, Fredi Beleri, u bë qendra e një debati politik në Greqi pas komenteve të bëra në një intervistë për televizionin ONE më 10 shtator. Duke diskutuar rreth Ilias Kasidiarisit, ish-deputetit të Agimit të Artë i cili u lirua nga burgu më 15 shtator, Beleri deklaroi se ai ishte "një nga të paktët grekë që e kreu burgun deri në ditën e fundit".
Kjo deklaratë ngjalli reagime të ashpra nga PASOK, partia më e madhe opozitare në Greqi, e cila kërkoi nga qeveria dhe Demokracia e Re të distancoheshin nga qëndrimi i eurodeputetit. PASOK e lidhi këtë deklaratë me debatin mbi praninë politike të Kasidiarisit dhe dënimin e tij si drejtues i një organizate kriminale. Për më tepër, Gazeta Tema raporton se PASOK kërkoi sqarime mbi një takim të përfolur mes drejtorit të zyrës së kryeministrit në Parlament, Michalis Bekiris, dhe Giannis Kourgianidis, duke hapur pikëpyetje për qëndrimin e qeverisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Në përgjigje të këtyre reagimeve, Fredi Beleri publikoi një sqarim më 19 shtator, ku deklaroi se formulimi i tij kishte qenë i pavend dhe e tërhoqi atë. Ai akuzoi PASOK-un se kishte nxjerrë deklaratën e tij jashtë kontekstit për qëllime politike. Beleri theksoi se nuk ka asnjë lidhje me Ilias Kasidiarisin apo me ideologjinë që ai përfaqëson. Eurodeputeti nënvizoi përkushtimin e tij ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës, duke kujtuar se Demokracia e Re ka qenë forca politike që ndërmori hapat ligjorë dhe institucionalë kundër Agimit të Artë.