Tuneli i Murrizit, një nga veprat kryesore infrastrukturore në Rrugën e Arbrit që lidh Qarkun e Dibrës me Tiranën, ka pësuar dëmtime së fundmi. Në afërsi të mesit të tunelit, në anën lindore, janë vërejtur plasaritje dhe çarje të bordurës anësore ose betoneve.
Përfaqësues të kompanisë ndërtuese Gjoka Konstruksion kanë deklaruar për News24 se dëmtimet lindën për shkak të punimeve në tunelin e emergjencës. Sipas tyre, distanca midis tunelit kryesor dhe atij të emergjencës është rreth 28–30 metra, dhe ndërhyrjet teknike kanë ndikuar në lëvizjen e harkut të tunelit kryesor.
Kompania siguron se këto dëmtime nuk paraqesin rrezik për sigurinë e qarkullimit dhe nuk cenojnë qëndrueshmërinë e veprës. Tuneli monitorohet vazhdimisht me aparatura të specializuara dhe nuk ka tregues për përkeqësim apo dëmtime të mëtejshme.
Pas përfundimit të punimeve në tunelin e emergjencës, dëmtimet në tunelin kryesor do të riparohen. Gjatë kësaj faze, qarkullimi i automjeteve do të kryhet përmes tunelit të emergjencës për të ruajtur vijimësinë e trafikut dhe sigurinë e përdoruesve.
Tuneli i Murrizit ka qenë subjekt kritikash për vonesat në përfundim dhe vënien në funksion. Autoritetet dhe kompania i kanë arsyetuar këto vonesa me vështirësitë gjeologjike të zonës.
Rruga e Arbrit ka kushtuar rreth 450 milionë euro, shifër që përfshin tunelin dhe segmentet e tjera; investimi fillestar ishte rreth 350 milionë euro, por u rrit gjatë punimeve.