Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se faza e deklaratave përfundimtare në gjykimin për administrim të drejtësisë ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit është caktuar të zhvillohet në shtator. Seancat janë planifikuar për datat 10, 11 dhe 14 shtator, duke filluar nga ora 09:30, dhe do të jenë të hapura për pjesëmarrjen e publikut.
Në një njoftim zyrtar thuhet se më 20 gusht, gjyqtari ka miratuar kërkesat e Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për t’i ndjekur deklaratat përfundimtare përmes lidhjes së videokonferencës. Gjatë kësaj faze të procesit, palët do të bëjnë përmbledhjen e argumenteve të tyre, duke iu referuar provave të administruara, besueshmërisë së dëshmitarëve, procesverbalit të procedurës, si dhe ligjit në fuqi.
Sa i përket rendit të paraqitjes, Prokurori i Specializuar do ta paraqesë i pari deklaratën përfundimtare, e cila do të pasohet nga mbrojtja. Pas kësaj, palët do të kenë mundësinë t’i përgjigjen argumenteve të njëra-tjetrës, ndërsa të akuzuarit do ta kenë fjalën e fundit. Trupi Gjykues do ta konsiderojë çështjen të përfunduar pasi të kenë mbaruar të gjitha deklaratat e planifikuara.