Partia Popullore Demokratike (DNP) e Millan Knezheviqit ka rihapur debatin për çështjet e identitetit në Mali i Zi, në kohën kur vendi shënon përparim drejt integrimit evropian.
DNP-ja, e afërt me Beogradin zyrtar, u largua nga qeveria më 30 janar dhe nga pushteti lokal në Podgoricë, pasi qeveria nuk u deklarua për kërkesat e saj. Qeveria e kryeministrit Millojko Spajiq vazhdon të ketë shumicën parlamentare.
Kërkesat e DNP-së përfshijnë:
- Ndryshime kushtetuese për ta bërë gjuhën serbe gjuhë zyrtare.
- Miratimin e Ligjit për Shtetësinë, që mundëson shtetësi të dyfishtë pa të drejtë vote për personat që jetojnë në Serbi, por me origjinë nga Mali i Zi.
- Ndryshimin e rregullave për simbolet shtetërore, që flamuri trengjyrësh serb të shpallet flamur popullor dhe të përdoret krahas flamurit shtetëror.
Ky flamur ishte përcaktuar në Kushtetutën e Principatës së Malit të Zi të vitit 1905. Sipas Kushtetutës aktuale, gjuha malazeze është zyrtare, ndërsa gjuha serbe është në përdorim zyrtar.
Rezultatet e regjistrimit të popullsisë, të publikuar në tetor 2024, kanë ripërtërir kërkesat e partive proserbe për statusin e gjuhës serbe.
Nikolleta Gjukanoviq, ligjëruese në Universitetin Donja Gorica në Podgoricë, vlerëson se nxitja e këtyre çështjeve synon ta ndërlikojë procesin e integrimeve evropiane dhe lidhet me ndikim nga Beogradi. “Mendoj se këtu bëhet më shumë fjalë për ndikim nga Beogradi, sesa për një nevojë reale që këto çështje të vendosen në plan të parë”, thotë ajo për Radian Evropa e Lirë.