Drejtoria e Doganave të Maqedonisë së Veriut ka vënë zyrtarisht në përdorim sistemin e kamerave trupore për punonjësit doganorë. Projekti, i cili është realizuar përmes mbështetjes së Programit ICITAP pranë Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, u promovua në një ceremoni të mbajtur në vendkalimin kufitar të Tabanocit.
Sistemi përbëhet nga 30 kamera, të cilat do të përdoren për regjistrimin e procedurave gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare. Drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski, deklaroi se ky investim shërben si një mekanizëm mbrojtës për vetë punonjësit doganorë dhe qytetarët, duke siguruar njëkohësisht transparencë dhe llogaridhënie. Sipas tij, materialet e regjistruara do të ndihmojnë në parandalimin e parregullsive dhe keqpërdorimeve të autoritetit, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi pune më profesional.
Ushtruesja e detyrës së shefit të misionit në Ambasadën e SHBA-së, Nicole Warns, theksoi se donacioni është dëshmi e partneritetit strategjik midis dy vendeve. Ajo nënvizoi se kamerat do të ndihmojnë në forcimin e institucioneve demokratike dhe në luftën kundër dukurive negative, duke përmendur konkretisht trafikun e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimin e organizuar. Regjistrimet e siguruara përmes këtij sistemi do të mund të përdoren si dëshmi në procedurat kundërvajtëse dhe ato penale.