Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, zhvilloi një takim me Nancy VanHorn, të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Në qendër të bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në administrimin doganor, sigurinë kufitare dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme. Palët diskutuan luftën kundër kontrabandës, trafikut të paligjshëm të narkotikëve dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Besmir Beja prezantoi prioritetet e Doganave Shqiptare, duke theksuar transparencën, integritetin institucional, modernizimin e shërbimeve dhe përmirësimin e klimës së biznesit përmes procedurave të thjeshtuara. Ai nënvizoi angazhimin për kontroll efektiv të lëvizjes së mallrave sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe luftën kundër korrupsionit.
Nancy VanHorn vlerësoi rolin kyç të Doganave Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, rritjen e të ardhurave buxhetore dhe krijimin e mjedisit të favorshëm për investime. Ajo shprehu gatishmërinë e SHBA-së për të mbështetur rritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e sigurisë kufitare dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Palët trajtuan mundësitë për asistencë teknike, shkëmbim praktikash më të mira dhe avancim projektesh për efikasitet doganor. Respektimi i standardeve ndërkombëtare dhe shërbimi cilëzor ndaj qytetarëve e bizneseve mbeten prioritete për zhvillim ekonomik dhe integrim ndërkombëtar.