Besmir Beja, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, zhvilloi më 26 shkurt 2026 një inspektim në Degën Doganore Bllatë. Ky vizitë erdhi në vijim të masave për përballimin e situatës së krijuar nga bllokimi i aksit rrugor Librazhd-Elbasan dhe devijimi i fluksit të mjeteve drejt kësaj pike kalimi kufitar.
Pas marrëveshjes së arritur me autoritetet maqedonase dhe koordinimit ndërinstitucional, që prej ditës së djeshme kamionët, të cilët nuk mund të kalojnë përmes Degës Doganore Qafë-Thanë për shkak të situatës rrugore, po përdorin pikën e Bllatës për hyrje dhe dalje në territorin doganor shqiptar. Kjo ka shkaktuar rritje të menjëhershme të volumit të punës në këtë degë, duke kërkuar riorganizim të burimeve njerëzore dhe logjistike.
Gjatë inspektimit, Beja ndoqi nga afër zbatimin e planit të masave, përforcimin e sporteleve të shërbimit dhe përpunimin e mjeteve në hyrje dhe dalje. Në deklaratën e tij, ai tha: “Bashkë me kolegët e Drejtorisë së Përgjithshme jemi këtu në Bllatë për të vëzhguar zbatimin e planit të masave. Më vjen mirë të shoh që ka pasur zbatim të rregullt, pavarësisht shtesës së ngarkesës së kësaj pike doganore, siç shikohet çdo gjë po lëviz normalisht.”
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka angazhuar personel shtesë dhe ka marrë masa për përpunimin sa më të shpejtë të formaliteteve doganore, me qëllim shmangien e vonesave dhe mbështetjen e operatorëve ekonomikë në këtë situatë të përkohshme. Dogana shqiptare mbetet në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet homologe të Maqedonisë së Veriut dhe institucionet e tjera përgjegjëse, duke monitoruar në kohë reale situatën dhe duke garantuar vijimësinë e qarkullimit të mallrave deri në normalizimin e plotë të aksit rrugor.