Ferit Hoxha, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, zhvilloi më 13 mars 2026 një takim me Nancy VanHorn, të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Gjatë takimit u rikonfirmua partneriteti i fortë dhe i qëndrueshëm ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së, bashkëpunimi i ngushtë, miqësia e kahershme dhe aleanca e palëkundur në kuadër të NATO-së. SHBA-të mbeten aleat kyç dhe partner strategjik për Shqipërinë.
Palët diskutuan zhvillimet më të fundit në sigurinë rajonale dhe globale, përfshirë situatën në Lindjen e Mesme. Shqipëria qëndron përkrah aleatëve për të parandaluar regjimin iranian nga sigurimi i armëve bërthamore apo armëve të tjera të shkatërrimit në masë, si dhe për të garantuar paqen dhe stabilitetin rajonal e ndërkombëtar. Siguria e aleatëve mbetet e panegociueshme.
Gjithashtu, u shkëmbyen pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, forcimin e sigurisë rajonale, rritjen e qëndrueshmërisë demokratike dhe avancimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Ministri Hoxha e njoftoi takimin me një postim në rrjetin social X.