Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Nënsekretaren e Shtetit për Çështje Politike të SHBA-së, Allison Hooker, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit. Ky takim shërbeu si vijimësi e diskutimeve të zhvilluara në Uashington në korrik të vitit 2026, duke rikonfirmuar angazhimin për forcimin e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve.
Në qendër të bisedës ishte koordinimi i ngushtë në kuadër të NATO-s, veçanërisht pas zhvillimit të Samitit të Ankarasë dhe në përgatitje të samitit të ardhshëm të Aleancës që pritet të zhvillohet në Shqipëri. Ministri Hoxha dhe nënsekretarja Hooker shkëmbyen qëndrime mbi situatën e sigurisë dhe zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar nevojën për mbështetje të vazhdueshme ndaj stabilitetit rajonal.
Palët vlerësuan partneritetin strategjik Shqipëri-SHBA si një marrëdhënie afatgjatë, të rrënjosur në vlera të përbashkëta demokratike, solidaritetin transatlantik dhe përgjegjësinë për sigurinë globale. Ministri Hoxha theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me synim arritjen e rezultateve konkrete, të cilat avancojnë interesat e përbashkëta dhe sjellin përfitime për të dyja vendet.