Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, njoftoi se ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) vazhdojnë të shënojnë suksese në akademitë e vendeve anëtare të NATO-s. Gjatë muajit prill, dy oficerë të FSK-së diplomuan me sukses në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nënntoger Endi Sherifi përfundoi trajnimin PCBC (Platoon Commander Battle Course), një nga kurset më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike, në Brecon të Uellsit. Për performancën e tij, ai u vlerësua me Mirënjohje të Veçantë nga komandanti i Shkollës së Këmbësorisë.
Në SHBA, oficerja Ermonda Meshi diplomoi nga kursi AGBOLC (The Adjutant General Basic Officer Leader Course). Ky trajnim i avancuar përgatit oficerët në menaxhimin e personelit dhe mbështetjen administrative në operacione ushtarake. Për arritjet e saj, ajo u nderua me medaljen United States Diplomatic Medal.
Ministri Maqedonci theksoi se këto rezultate dëshmojnë përkushtimin e ushtarakëve të FSK-së dhe investimet e vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes në trajnim, edukim ushtarak dhe zhvillim profesional. Ai përmendi se zgjerimi i mundësive për shkollim në akademitë e vendeve partnere ndihmon në ndërtimin e një ushtrie profesionale sipas standardeve të NATO-s.
Maqedonci u shpreh krenar për ushtarakët që përfaqësojnë Kosovën me dinjitet në akademitë aleate. Ai nënvizoi se arritjet e tyre kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të shtetit.