Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të pesë kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët përfunduan studimet trevjeçare në akademitë ushtarake të Gjermanisë. Ceremonia u mbajt në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin. Në të morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë Federale të Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Gjermanisë.
Të diplomuarit janë Xheto Kelmendi, në fushën e këmbësorisë; Leutrim Nika, në logjistikë; Gentri Azemi, në IT ushtarake; si dhe Lavdim Sylejmani dhe Betim Elshani, në polici ushtarake. Pas përfundimit të studimeve, ata do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës dhe do t’i shërbejnë vendit me njohuritë dhe përgatitjen e fituar.
Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri, deri më tani 18 kadetë të FSK-së kanë përfunduar studimet në akademitë ushtarake të Gjermanisë, ndërsa 16 të tjerë po studiojnë në akademi të ndryshme ushtarake gjermane. Përmes programit Military Training Assistance, mbi 80 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Gjermani.
Maqedonci falënderoi Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe u uroi kadetëve suksese në shërbimin e tyre. Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, bashkëpunimi me Gjermaninë kontribuon në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, arsimin dhe trajnimin ushtarak, si dhe në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.