Autoritetet e Interpol Tirana finalizuan ekstradimin e shtetasit Juljan Kollçaku drejt Italisë. Ndaj 36-vjeçarit, Gjykata e Firences kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale të organizatës kriminale dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Hetimet tregojnë se Kollçaku ishte pjesë e një rrjeti kriminal që operonte midis Ekuadorit dhe Kolumbisë, me destinacion portet italiane si ato të Livornos, Genovas dhe Savonës. Grupi dyshohet se transportonte lëndën narkotike përmes kontejnerëve me banane. Në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar rreth 2 tonë kokainë në episode të ndryshme, përfshirë një sasi prej 489 kilogramësh.
Grupi kriminal përbëhej nga anëtarë të kombësive të ndryshme, kryesisht shqiptarë, rumunë dhe italianë. Pas dorëzimit te autoritetet italiane, Juljan Kollçaku do të përballet me procedurat e mëtejshme gjyqësore. Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.