Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) bën të ditur se pagesat në vlerë prej 100 eurosh për studentët janë realizuar plotësisht. Këto pagesa u janë bërë të gjithë studentëve që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara dhe janë përfitues të kësaj mbështetjeje financiare. Ekzekutimi është bërë në disa grupe.
Gjithashtu, MFPT ka realizuar pagesat e para të bursës së mobilitetit. Kjo bursë synon studentët që jetojnë në distancë dhe plotësojnë kriteret përkatëse.
Studentët që nuk i kanë përmbushur kriteret dhe nuk janë përfitues janë njoftuar zyrtarisht përmes email-it të përdorur gjatë aplikimit në platformën e-Kosova.
Ministria kërkon që për çdo paqartësi ose ankesë studentët të kontaktojnë në adresat elektronike:
• Për shtesën prej 100 eurosh: info.masa3.6@rks-gov.net
• Për bursën e mobilitetit: Mobiliteti.mfpt@rks-gov.net
Tre muaj më parë, qeveria në detyrë kishte marrë vendim për ndarjen e 100 eurosh për studentët dhe 20 milionë eurosh për bursat e mobilitetit. Këto mbështetën studentët nga familje me kushte ekonomike ndërmesatare.