Xhabir Hamiti, ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, bëri të ditur se kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit të Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë. Ky donacion prej 25 milionë eurosh vjen nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës.
Gjatë një takimi në Abu Dhabi, Hamiti, i shoqëruar nga këshilltari Melhin Mahmuti, u prit nga Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë – Abu Dhabi. Ajo informoi për nisjen e këtyre përgatitjeve.
Në të njëjtin takim u njoftua se gjatë këtij viti do të nisë rinovimi dhe pajisja me teknologji të re mjekësore e Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri. Ky proces financohet me 7.5 milionë euro nga Departamenti i Shëndetësisë i Abu Dhabit.
Hamiti shprehu mirënjohje ndaj lidershipit të Emirateve, në krye me Presidentin Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, dhe popullit emiratas për kontributet në avancimin e shëndetësisë në Kosovë. Njoftimi u bë përmes një postimi në Facebook.