Në mbrëmjen e 25 janarit 2026, rreth orës 21:00, erërat e forta kanë rrëzuar fasadën e një objekti banesor në afërsi të shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë. Si pasojë, një person i rastit ka pësuar lëndime trupore, ndërsa një veturë është dëmtuar. Ngjarja ka krijuar rrezik edhe për pjesëmarrësit në komunikacion.
Izja Mjeku, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë Kosovës, ka konfirmuar incidentin. Ai ka shpjeguar se pas një telefonate të marrë në atë orë, ekipet e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe qytetarët, kanë dalë menjëherë në vendngjarje. Ato kanë pastruar zonën dhe kanë eliminuar rrezikun.
Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të Fushë Kosovës, ku po merr ndihmën e nevojshme. Sipas drejtorit Mjeku, lëndimet nuk janë të rënda.
Drejtoria e Shërbimeve Publike ka apeluar te qytetarët për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, pasi erërat e forta pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim.