Erkand Shabani, pronar i kompanisë ONIMA, ka reaguar publikisht në rrjetet sociale lidhur me rastin gjyqësor që përfshin artistin Besart Kelmendi – Gjesti.
Shabani ka bërë të ditur se ka denoncuar pranë organeve të rendit fakte të reja për lëvizje të organizuara të automjeteve pranë zyrave të ONIMA-s. Sipas tij, këto informacione duhet t'i merren në konsideratë nga prokuroria për vlerësimin e rrezikshmërisë ndaj tij dhe stafit të kompanisë.
Ai shtoi se, në bashkëpunim me avokatin, do të dorëzojë fakte të tjera për veprime të grupeve të ndryshme që, sipas tij, kanë tentuar të sigurojnë përfitime financiare nga ONIMA përmes kërcënimeve të armatosura. Shabani thekson se nuk kishte dashur të fliste publikisht për një ngjarje që, sipas tij, përbën vepër të qartë kriminale dhe ka ndodhur në zyrat e kompanisë. Kjo ngjarje ka shkaktuar dëme materiale dhe pasoja të rënda psikologjike për stafin, ndërsa rasti ndodhet tashmë në duart e gjykatës.
Shabani akuzon disa artistë për pjesëmarrje në një fushatë që, sipas tij, nxjerr arsyetimin e dhunës dhe shpërndan gjysmëvërteta. Ai përmend:
- Zanfina Ismaili
- Tayna
- Yll Limani
- Vesa Luma
- Xheneta Fetah
- G Ban
- Pleurat Zeksyla
- Oriola Marashi
- Besa Kokëdhima
Sipas Shabanit, kjo fushatë synon ushtrimin e presionit publik ndaj trupit gjykues për lehtësim masash ndaj Gjestit, si dhe presion ndaj ONIMA-s për marrëveshje të detyruar. Ai paralajmëron konferencë për shtyp dhe publikim videosh e provash, ndërsa kompania do të ndjekë deklaratat publike për shkelje ligjore.