Kursi i këmbimit të euro-s me lekun arriti të premten nivelin 95.89 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë dhe shënon thyerjen e kufirit të 96 lekëve për herë të parë.
Rënia ka vazhduar edhe me bazë vjetore, ku kursi paraqitet 3.3% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Agjentët e tregut valutor shpjegojnë rënien kryesisht me këmbimet e shumta nga bizneset, që kanë konvertuar sasi të mëdha euro-sh në lekë. Kjo ka rritur ofertën e monedhës europiane dhe ka përshpejtuar tendencën rënëse disavjeçare.
Një faktor tjetër është prania më e pakët e Bankës së Shqipërisë në treg. Prej rreth dy vitesh, banka qendrore ka blerë sasi të mëdha euro-sh për të ngadalësuar rënien dhe për të kufizuar efektin deflacionist nga forcimi i lekut, në mbështetje të objektivit të inflacionit. Kohët e fundit, ajo ka mbajtur një qëndrim më të tërhequr, duke lejuar kursin të ndjekë rrjedhën natyrale.
Sipas të dhënave zyrtare, në nëntë muajt e parë të 2025-ës, Banka e Shqipërisë ka blerë 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Kjo është vlera rekord historike për periudhën dhe shënon rritje 52.2% krahasuar me vitin paraardhës.
Për vitin 2026, banka planifikon të rrisë më tej blerjet e valutës në tregun e brendshëm.